Liri Berisha në Nju Jork: Gratë janë si ninullat… Një mbrëmje e paharruar e shoqatës së Grave shqiptaro-amerikane , “Motrat Qiriazi” me dr. Liri Berishën
Nga Dalip Greca
NEW YORK
Mbrëmja kushtuar festës së Gruas dhe të Mësuesit, organizuar të dielën, me 8 mars, në restorantin “Macelleria” në Manhattan (pronë e Sergio Bitiçit), nga Organizata e Grave shqiptaro-Amerikane ”Motrat Qiriazi” pati si mysafire speciale, zonjën Liri Berisha, bashkëshorten e kryeministrit të Shqipërisë, e cila është pritur me duartrokitje e përqafime nga një masë e madhe grashë e vajzash, për të cilat mjediset e restorantit ishin të pamjafta për t’i nxënë të gjitha.
Një ngjarje e paharruar
Fjalën e përshëndetjes e ka mbajtur dr. Anna Kohen, kryetare e shoqatës, e cila i ka uruar mirëseradhjen të pranishmeve. Ky 8 Mars, tha ajo, është paksa i veçantë, sepse na ka nderuar me pjesëmarrjen e saj dr. Liri Berisha, së cilës në emër të të gjitha anëtarëve të organizatës së gruas shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi’ dhe në emrin e të gjithë pjesëmarrësve, i uroj mirëseardhjen!
Duke shfletuar kalendarine veprimtarive të shoqatës, dr. Kohen kujtoi se “tri javë më parë, të gjithë së bashku festuam një vjetorin e Pavarsisë së Kosovës dhe të gjithë thirrëm me gjithë shpirt “Gëzuar ditëlindjen Kosova e martirëvë dhe e dhimbjeve shekullore!”
Organizata jonë, vazhdoi ajo, ka zhvilluar herë pas herë veprimtari të ndryshme, ku kanë marrë pjesë dhjetra e dhjetra gra e vajza, madje edhe personalitete të fushave të ndryshme të artit dhe të kulturës shqiptare. Dhe përsëri ju them se e kam ndjerë veten të gëzuar dhe të lumtur kur kemi arritur rezultate.
Shoqata “Motrat Qiriazi” gjithnjë ka qenë pranë komunitetit dhe personave në nevojë. Sivjet, për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptar kjo shoqatë po kryen një mision sa human, aq dhe fisnik. Ne po punojmë që të dërgojmë fëmijët shqiptarë që t’i kalojnë pushimet verore falas, informoi ajo.
Edhe pse tani shoqata bazohet mbi aktivitetin e veprimatreve vullnetare, ajo eshte më e gjallë se kurrë, tha Kohen.
Duke iu drejtuar mësueseve, Kohen tha:” Të dashura mësuese, që frymën tuaj e kthyet në dituri për vazhdimësinë e kombit, që me shumë sakrifica, nuk pushuat së punuari si edukatore të denja të brezave, të cilët do të ishin e ardhmja e një vendi të shenjtë!”.
Kush është zonja Berisha?
Elmira Muja ka prezantuar para të pranishmeve, të ftuarën speciale, dr. Liri Berisha. Znj. Liri Berisha ka lindur në 5 korrik, 1948. Ajo u diplomua për mjekësi në Universitetin e Tiranës në 1971 dhe ka punuar si doktoreshë në po këtë spital. Në 1971, ajo takoi dhe u martua me Sali Berishën. Ata janë prindër të Argitës dhe Shkëlzenit, si dhe gjyshër të Sares, Dalilës, Amlës, Medinës dhe Lajdonit.
Interesi i veçantë i saj për çështjet e fëmijëve e çoi drejt angazhimit në Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, si dhe të punojë ngushtë me qendra ndërkombëtare mjekësore si dhe fondacione fëmijësh, që trajtojnë fëmijët që vuajnë nga talasemia apo sëmundje të tjera, në gjithë botën.
Dr. Liri Berisha është Presidente e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, i cili ka në qendër të vëmendjes së tij fëmijët që vuajnë nga probleme të gjakut, kanceri dhe fëmijët me nevoja të veçanta. Gjithashtu rëndësi të veçantë i është kushtuar dhe femijëve të abandonuar, jetimë, romë, si dhe te policëve të vrarë në detyrë, duke u siguruar dhe shkollimin e tyre në bashkëpunim të ngushtë me universitete private dhe shtetërore. Si një pediatre prej 30 vjetësh, ajo ka qenë e lidhur me fëmijët në nevojë dhe i njeh mirë nëvojat reale të tyre. Një nga angazhimet e saj më të forta është eliminimi i rasteve të talasemisë në Shqipëri dhe kujdeset, që fëmijët që vuajnë nga kjo sëmundje të marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Dr. Berisha është e përfshirë në çështje të interesit kombëtar me interes të veçantë në kujdesin shëndetësor të fëmijëve,
edukimin dhe trashëgiminë kulturore.
Znj. Berisha është Presidente e Nderit e UNICEF-it në Shqipëri dhe ka postin e zëdhënëses në përpjekjet për arsimimin e fëmijëve të margjinalizuar dhe për përmirësimin konkret të kujdesit dhe zhvillimit në fëmijërinë e hershme, arsimimin e femrave dhe luftës kundër trafikut të fëmijëve.
Znj. Berisha është edhe Presidente e Fondacionit Kulturor Nënë Tëreza. Ajo është iniciatore e themelimit të muzeut "Nënë Tëreza" në Shqipëri dhe e shumë aktiviteteve të tjera për Nënë Tërezën dhe trashëgiminë kulturore. Znj. Liri Berisha është gjithashtu anëtare e bordit të Shoqatës Ndërkombëtare të Onkologëve dhe Gastrologëve. Kjo shoqatë ka nderuar Zonjën Berisha me Diplomën e Nderit, për mjekësinë pa kufi dhe ndihmën ndaj fëmijëve.
Znj. Liri Berisha është nderuar me titullin “Simbol i vlerave humane” nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, me rastin e 90-vjetorit të themelimit të Strehës së Parë Vorfnore.
Ajo ka marrë titullin Anëtare Nderi e Përhershme e Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Greqi, për kontributin e saj në ndihmë dhe në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në nevojë.
Znj. Berisha u emërua si Ambasadore Lokale për Shqipërinë dhe Kosovën për iniciativen botërore të UNICEF-it, lidhur me Iniciativën për Eliminimin e Tetanozit Neonatal dhe Maternal në Republikën e Afrikës Qendrore.
Ajo është nderuar me titullin “Imazhi i Gruas Shqiptare” Forumi - Imazh dhe Media.
Dr.Liri Berisha eshte nderuar me Çmimin e Mirënjohjes, për
angazhimin e saj në fushatat sensibilizuese të FAO-s, çmim i akorduar nga
Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) në Itali.
Shqipëria ka dhe një pjesë zemre këtu në Amerikë
…Asnjë arsye, tha dr. Liri Berisha, sapo mori fjalën e përshëndetjes, nuk do të më pengonte për t’u gjendur sot këtu midis jush për të festuar 7 dhe 8 Marsin.
Zonja Berisha fitoi duartrokitje të zgjatura, kur tha se për të ngritur dollinë e këtyre festave me ju, në këmbë do ta merrja rrugën për t’u gjendur sot këtu, pasi janë gratë ato që japin jetë. Ato janë si librat, janë ninulla, janë horizont, ato janë akademi, që tregojnë, mbledhin dhe ushqejnë tërë botën.
Duke folur për kontributin e grave shqiptare, dr. Berisha tha:”Atdheu ynë është i bekuar të ketë në kujtesën e vet shumë gra, motra, zonja, që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre i kanë dhënë sharmin, kulturën, historinë dhe bukurinë Shqipërisë duke e bërë historinë e tyre njerëzore, pjesë të historisë kombëtare. Janë të shumtë emrat e shquar të grave që kanë mbetur simbol, bekim dhe legjendë e gjallë për imazhin tonë, duke filluar nga mbretëresha Ilire, Teuta, shembull i shenjtërisë së madhe në të gjithë botën, Nënë Tereza, krnohemi me artiste të famshme, mjeke duar e zemërarta, me shkencëtare të shquara, politikane të mençura”.
Duke folur për organizatën e grave “Motrave Qiriazi” ajo u shpreh se vetë emri i Shoqatës ”Motrat Qiriazi” është respekt dhe vlerë e madhe e historisë shqiptare, e cila do të ishte e mangët pa kontributin dhe emrat e shquar të patrioteve, që u përpoqën me punë e penë për Rilindjen e madhe, për gjuhën shqipe, për kulturën dhe njohjen e saj në botë; Motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Kohët kanë ndryshuar.Sot është e lehtë të ndërtosh një shkollë, por është vështirë të mbash gjallë gjuhën, sidomos kur kjo gjuhë kapërcen dete e oqeane, kur ajo flitet në qiell të huaj, aty ku i bie fati të jetojnë shumë shqiptarë. Ndaj kontributi i Fondacionit tuaj veç të tjerve ka meritë të jashtëzaknshme- ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës së bukur shqipe.
Ju jeni duke sfiduar çdo vështirësi duke treguar me punë se Shqipëria ka dhe një pjesë zemre të saj këtu në Amerikë dhe një pjesë zemre nuk mund të rrah ndryshe nga zemra e të gjithë bashkatdhetarë ve.
Duke iu referuar dy festave, asaj të nënës dhe mësuesve, dr. Berisha tha se “në mënyrë figurative do t’i krahasoja me Tokën dhe Qielli. Nënë është Toka-ku secili prej nesh u mboll dhe u rrit. Arsimi qielli-ku secili prej nesh ka të drejtë të fluturojë e të shpalosë dijet-kjo e gjitha duket sikur i ngjan shqiponjës, simbolit tonë kombëtar.
Dhe ne, vazhdoi ajo, kemi të drejtë si shqiptarë të krenohemi në këtë ditë. Krishtërimi kishte një Atë, por ne, shqiptarët, i dhamë atij dhe një nënë që ngjalli imazhin e mëshirës, dashurisë dhe mirësisë në mbarë botën, e cila i dha gjithçka njerëzimit pa kërkuar asgjë prej saj. Ajo ishte shenjtorja e njerëzve të gjallë Nënë Tereza. Po a nuk është nëna shënjtorja e secilit prej nesh, ikona që në lindje, në këmbët e saj është parajsa jonë, thotë një shprehje profetike. Të përulemi sot para madhështisë së Nënës!
Gratë e Bostonit, të “privilegjurat” e mbrëmjes
Ato ishin tetë. Kishin udhëtuar nga Bostoni për të qenë të pranishme në mbrëmjen e “Motrave Qiriazi”. Ishin më të kërkuarat nga media për intervista. Albana Orgocka, e njohur për themelimin dhe drejtimin e Shoqatës ”Maasbesa” është në krye të tyre.
Myzafere Ormënaj, pati nderin që të fliste në emër të tetave dhe të masës së grave që kishte lënë pas, në Boston, në emër të shkollës shqipe..
Tek do të përshendeste, ajo tha:“Është mëse e natyrshme kënaqësia që kemi ne si komunitet shqiptar i Bostonit të vimë në New York dhe të sjellim dhe të ndajmë me pjesëtarët e familjes sonë shqiptare kontributin që kemi dhënëve për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe. Nisur nga emri “Shkolla e gjuhës dhe trashëgimisë shqiptare”, mund të kuptohet misioni që kemi : Fëmijët e bshkatdhetarë ve të mësojnë gjuhën shqipe dhe të njihen me kulturën, traditën dhe historinë e popullit tonë. Ky motiv është shkaku që në shkollën tonë kanë ardhur jo vetëm fëmijët e lindur në Shqipëri, por edhe ata që kanë lindur këtu dhe dinë pak ose aspak shqip.
Shkolla e Bostonit është krijuar me iniciativën e shoqatës “Massbesa” në mars të vitit 2006. Në këtë vit shkolla filloi me katër klasa, dy prej të cilave janë në godinën e kishës së Shën Gjergjit në South Boston dhe dy në godinën e Universitetit të Bostonit. Tri klasa përfshijnë fëmijë të moshës nga 6 deri në 14 vjeç, kurse një klasë është me të rritur.
Ormëni, duke përmendur kontributet e mësimdhënseve, tha: “Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e koordinatores së parë Enkelejda Kapia, si dhe mësueset Vilma Simeqi, Vilka Markovic, Vjollca Avrami, Iljana Kule, Blerina Omari, Roza Mija dhe Blerina Rista. Mbas tre vjet eksperience, u kalua në një hap tjetër. Fëmijët që përfunduan librin e abetares vazhdojnë të punojnë me librin Gjuha Shqipe -2. Nxënësit e rinj , që vijnë nisin me abetare kurse me grupin e të rriturve, është një program i veçantë, kështu bëhet e mundur përshtatja me të gjitha grupmoshat dhe nivelet.Në këtë ecuri të shkollës, pa dyshim një vend të veçantë ka zenë dhe zë puna e mësuesve dhe veçanërisht e mësueses Vjollca Avrami.
Ajo është një nga mësueset e para të shkollës së Bostonit që me dedikim punon edhe sot”. Duke portretizuar mësuesen që u nderua nga hoqata”Motrat Qiriazi”, Ormëni tha: ” Çfarë e bën Vjollcën të veçantë si mësuese është këmbëngulja, pasioni dhe dëshira e saj për t’u dhënë fëmijëve njohuritë e para të gjuhës shqipe, për t’u rrënjosur atyre dashurinë për gjuhën dhe për t’u hapur dritare të reja në hapësirën e kulturës shqipe”.
Një takim i papritur
Mbrëmja pati shumë emocione, shumë këngë e shumë fotografi. Këngëtarja Justina Aliaj pasi përcolli plot emocione këngën e Nënës, do t’i afrohej dr. Berishës e tek e përqafonte, do t’i thoshte:”Mos na harroni ne artistët që jemi shtërnguar të lëmë vendin!”. Ndërsa Gjilberta Gjelaj, mësuesja e muzikës, që ka një ëndërr kthimi në Shkodrën e saj, pas koncertit që ia përkushtoi nënave, do t’i mjaftonte një fotografi dhe shtërngim duarsh me zonjën Berisha.Flora Selfo ka shumë se çfarë t’i thotë, por të gjitha gratë dhe vajzat presin radhën për ta takuar e për t’u fotografuar. Por të papriturën e mbrëmjes do ta shkaktonte Honela Kumi, vajza e poeteshës Iliriana Sulkuqi.Dr. Berisha nuk e pati të vështirë që të njihte “fëmijën problematik” të lindur premature, Honela Sulkuqi, sot Kumi. E përqafoi atë me mall dhe e uroi me gjithë shpirt që e shihte aq mirë me shëndet, tani nënë e
dy fëmijëve. Dikur, në foshnjërinë e saj, kjo vajzë ka pasur fat se ishte nën kujdesin e doktoreshës Liri Berisha. Ishte një foshnje e ardhur në jetë me probleme, e pazhvilluar, nën peshë dhe doktoresha dha gjithçka që ajo të mbetej në jetë dhe ta fitonte shëndetin. Çdo ditë me peshore në dorë doktoresha shkonte dhe përkujdesej për vajzën shëndetligë. Duke kujtuar kohën e largët, një fotografi e përbashkët, fikson gëzimin në sytë e secilës.
Mbrëmja pati të papritura të shumta. Motrat dhanë një kontribut modest për fondacionin e fëmijëve për të cilët përkujdeset dr. Berisha.
Në fund u organizua edhe një llotari, të ardhurat e e së cilës shkojnë për të sjellë nga Prishtina në spitalin e Bostonit, vogëlushin 6 vjeçar, Begir Agushi, i cili e ka jetik një operacion në zemër. Për këtë llotari, gazeta Illyria dha kontributin e saj. Një nga pjesëmarrset, Viktori Mërtiri, u bë fituese për një abonim falas të gazetës Illyria. Fituese e llotarisë ishte edhe Enkeleda Arapi. |